Secondary Adv

Tre herë në zgjedhje parlamentare në 16 muaj, Kosova përballet me krizë politike dhe ekonomike

Kosova po hyn për herë të tretë në zgjedhje parlamentare brenda 16 muajsh, ndërsa bizneset dhe ekspertët paralajmërojnë pasoja serioze për ekonominë, investimet dhe fondet europiane.

Zgjedhje të reja pas dështimit për zgjedhjen e presidentit

Kosova po përballet me një tjetër krizë politike që po e çon vendin sërish drejt zgjedhjeve të parakohshme. Më 7 qershor 2026 qytetarët do të votojnë për herë të tretë brenda një viti e katër muajsh, një situatë e pazakontë edhe krahasuar me standardet europiane.

 

Zgjedhjet e reja erdhën pasi legjislatura e dhjetë dështoi të përmbushë një nga detyrimet kryesore kushtetuese, zgjedhjen e presidentit të vendit. Si pasojë, Kuvendi u shpërnda dhe ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, shpalli zgjedhjet e reja parlamentare.

 

Kjo është hera e dytë radhazi që Kosova shkon në zgjedhje të parakohshme, pas votimeve të dhjetorit 2025, të cilat erdhën për shkak të pamundësisë së forcave politike për të konsoliduar institucionet shtetërore.

 

Bizneset paralajmërojnë pasoja për ekonominë

Përfaqësues të biznesit dhe ekonomistë paralajmërojnë se pasiguria politike po dëmton drejtpërdrejt klimën ekonomike dhe investimet në vend. Drejtori i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Kushtrim Ahmeti, deklaroi se zgjedhjet e shpeshta po sjellin humbje financiare, vonesa në vendimmarrje dhe pasiguri për investitorët.

 

“Çdo proces i ri zgjedhor nënkupton muaj të tërë të humbur për vendimmarrje dhe projekte zhvillimore. Kjo po u kushton bizneseve vonesa, humbje financiare dhe pasiguri të mëdha për të ardhmen dhe investimet”, tha Ahmeti.

 

Sipas tij, bizneset po përballen me rritje të kostove të prodhimit, varësi të lartë nga importi, mungesë mbështetjeje institucionale dhe zvarritje të proceseve vendimmarrëse. Edhe Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka paralajmëruar ndikime negative në ekonomi. Kryetari Arian Zeka deklaroi se sa herë vendi ka kaluar në ngërç politik, kjo është reflektuar menjëherë në normën e rritjes ekonomike dhe në klimën e investimeve.

 

Ai theksoi se investitorët e huaj kanë nevojë për institucione funksionale dhe stabilitet politik për të garantuar sigurinë e investimeve të tyre.

 

Rrezikohen fondet e Bashkimit Europian

Një tjetër shqetësim lidhet me rrezikun e humbjes së fondeve nga Bashkimi Europian. Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, paralajmëroi se mungesa e institucioneve funksionale mund të bllokojë reformat dhe për pasojë të rrezikojë qindra miliona euro financime europiane.

 

Kosova ka në dispozicion rreth 880 milionë euro nga Plani i Rritjes i Bashkimit Europian, por deri tani ka përfituar vetëm 63 milionë euro si parafinancim. Pjesa tjetër mbetet e kushtëzuar me realizimin e reformave që aktualisht nuk mund të avancojnë për shkak të krizës politike. Rafuna paralajmëroi gjithashtu se ekonomia po ndikohet edhe nga inflacioni i importuar, sidomos përmes rritjes së çmimeve të energjisë dhe derivateve të naftës.

 

Mbi 10 milionë euro për organizimin e zgjedhjeve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar një buxhet prej mbi 10.8 milionë eurosh për organizimin e procesit zgjedhor të 7 qershorit. Fushata zgjedhore do të zgjasë vetëm 10 ditë, nga 28 maji deri më 7 qershor, ndërsa procesi do të përfshijë edhe votimin nga diaspora dhe në përfaqësitë diplomatike.

 

Ekspertët paralajmërojnë se zgjedhjet e shpeshta nuk po perceptohen më si zgjidhje politike, por si tregues i një krize të thellë institucionale që po dëmton ekonominë, investimet dhe perspektivën europiane të Kosovës.

 

Burimi: Monitor


Më të lexuarat